Nuk dihet ende nëse ndeshja e Kupës së Serbisë do të zhvillohet në Zveçan
Nuk dihet ende nëse ndeshja midis klubit futbollistik "Crvena Zvezda" nga Serbia dhe "Trepçës" nga veriu i Kosovës - në kuadër të Ligës së Serbisë - do të zhvillohet të mërkurën në Zveçan, në veri të Kosovës, ashtu siç është vendosur me short.
Këtë e ka kundërshtuar ashpër Federata e Futbollit të Kosovës, ndërsa Policia e Kosovës ka një urdhër të mëparshëm - që vazhdon të mbetet në fuqi - për të mos e lejuar hyrjen e Crvena Zvezdës në Kosovë.
Në stadionin në Zveçan, ndërkaq, po bëhen përgatitjet e fundit për ndeshjen, konfirmoi për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë klubi futbollistik Trepça.
Drejtori i tij, Bojan Jakshiq, tha se sa i përket klubit, ndeshja do të duhet të zhvillohet të mërkurën, porse në pikëpyetje mbetet ardhja e futbollistëve nga Beogradi.
"Ekziston ende një ndalesë në 'kalimin administrativ' në Jarinë, andaj është në pikëpyetje ardhja e Crvena Zvezdës. Ajo çfarë dimë është se Federata e Futbollit të Serbisë po bën përpjekje të mëdha që ndeshja të zhvillohet këtu në Kosovë", tha Jakshiq.
Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, tha se zhvillimi i ndeshjeve zyrtare të klubeve të Serbisë në territorin e Kosovës është provokim i pastër dhe shkelje e statutit të Federatës Evropiane të Futbollit (UEFA) dhe të Federatës Botërore të Futbollit (FIFA).
"Si mund të luani lojë zyrtare në territorin e dikujt tjetër? Kjo është shkelje e statutit të UEFA-s dhe të FIFA-s", tha Salihu.
Ai theksoi se asgjë nuk është e drejtuar kundër futbollit dhe se komunitetit serb duhet t'i lejohet të luajë ndeshje miqësore.
Ndeshja midis Crvena Zvezdës dhe Trepçës luhet në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Serbisë.
Më shumë në këtë temë:
Kosova, e vendosur të mos lejojë që për Kupën e Serbisë të luhet në Zveçan
Kosova dhe Serbia përplasen edhe rreth futbollit