Kurti në takim me Kosnettin: Do të jem kryeministër për të gjithë qytetarët
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha të martën se "do të jetë kryeministër për të gjithë qytetarët e Kosovës".
Kurti i bëri komentet në një takim me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett, dy ditë pas zhvillimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Sipas rezultateve preliminare të këtyre zgjedhjeve, partia e Kurtit ka fituar shumicën e votave, me një diferencë të ngushtë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila ka dalë e dyta.
Vetëvendosje dhe LDK-ja nuk e kanë përjashtuar mundësinë e një marrëveshjeje për formimin e qeverisë së re, edhe pse është thënë se negociatat do të nisin pas numërimit të të gjitha votave.
Si parashihet konstituimi i Kuvendit dhe Qeverisë?
Në një komunikatë për media, të lëshuar të martën nga Lëvizja Vetëvendosje, thuhet se "ambasadori Kosnett shprehu kënaqësinë e tij për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, pjesëmarrjen e lartë të qytetarëve dhe e uroi kryetarin Kurti për një fushatë që i adresoi shqetësimet e votuesve".
Në anën tjetër, Kurti, thuhet në komunikatë, e siguroi Kosnettin se "do të jetë kryeministër për të gjithë qytetarët e Kosovës".
"Ai e njoftoi ambasadorin se konsolidimi i brendshëm i Kosovës me shtetndërtim demokratik, sundim të ligjit, zhvillim ekonomik dhe progres shoqëror është prioritet që do ta zbatojë, meqë edhe nevojat e qytetarëve dhe vullneti i tyre i shprehur në këto zgjedhje ishin për këtë", thuhet mes tjerash në komunikatë.
Analistët në Kosovë presin që negociatat për formimin e qeverisë së re të jenë të vështira.
Në zgjedhjet e 6 tetorit, Partia Demokratike e Kosovës, e cila ka udhëhequr për 12 vjet, ka dalë e treta - gjithnjë sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.