Prokuroria Speciale intervistoi gazetarin serb për rastin Ivanoviq
Prokuroria Spoeciale e Kosovës intervistoi të mërkurën gazetarin serb, Stefan Cvetkoviq, lidhur me vrasjen e politikanit serb në Mitrovicën e Veriut, Oliver Ivanoviq.
Lajmin e konfirmoi Sylë Hoxha, i ngarkuar për komunikim me media nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
“Stefan Cvetkoviq është intervistuar sot në lokalet e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, lidhur me rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit. Ai, vetë, në mënyrë vullnetare, si gazetar hulumtues, kinse ka informacione, është lajmëruar që të vijë dhe sot ka dhënë një deklaratë”, tha Hoxha.
I pyetur nëse Cvetkoviq ka dhënë ndonjë informacion konkret, Hoxha tha:
“Ka thënë diçka, sikurse çdo dëshmitar tjetër që vjen në Prokurori. Unë e falënderoj, por kjo nuk do të thotë se ka dhënë diçka kush e di se sa konkrete”.
Gazetari Cvetkoviq, kohët e fundit, ka përcjellë hetimet për vrasjen e politikanit serb, Ivanoviq.
Ky i fundit është vrarë më 16 janar përpara zyrës së partisë së tij në qendër të Mitrovicës Veriore. Hetimet e deritashme nuk i kanë identifikuar autorët.
Stefan Cvetkoviq është zhdukur në natën ndërmjet 13 dhe 14 qershorit në qytetin Bella Cërkva të Serbisë, por është gjetur i gjallë nga policia serbe më 15 qershor.