Autoritetet serbe mbajnë në arrest një shtetas të Kosovës
Autoritetet e Serbisë, të dielën, më 24 qershor, kanë arrestuar Fahri Jusufin, 54-vjeçar, shtetas i Kosovës, në pikën kufitare në Rudnicë.
Arrestimin e shtetasit të Kosovës e ka konfirmuar Ministria e Punëve të Jashtme e Qeverisë së Kosovës.
Sami Kastrati, drejtor i komunikimit në këtë Ministri, ka thënë se për arrestimin e shtetasit të Kosovës janë njoftuar përmes Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Serbi.
“Shtetasi kosovar ndodhet në mbajtje në Kralevë, në bazë të një urdhër-ndalese të mëhershme. Ministria e Punëve të Jashtme, nëpërmjet Zyrës Ndërlidhëse në Serbi, është duke e përcjellë nga afër këtë rast dhe do t’i ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet respektive”, ka thënë Kastrati për Radion Evropa e Lirë.
Zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, megjithatë, nuk kanë dhënë detaje se cili është motivi i mundshëm i arrestimit të Jusufit nga autoritetet serbe.