Qeveria e Kosovës i reagon BE-së për Trepçën
Qeveria e Kosovës e ka cilësuar si të papranueshëm reagimin e Bashkimit Evropian lidhur me miratimin e Statutit të Trepçës nga ana e Kuvendit të Kosovës.
“Qeveria e Republikës së Kosovës thekson se Trepça nuk është çështje e hapur mes Kosovës dhe Serbisë dhe në asnjë moment populli i Kosovës dhe institucionet e saj nuk do të lejojnë krijimin e temave false që kanë qartazi qëllim ndarjen e Kosovës”, thuhet në komunikatën e Qeverisë së Kosovës.
Ndërkaq, veçmas reagimit të Qeverisë, kryeministri, Ramush Haradinaj përmes një postimi në Facebook, ka thënë se deklarimi i BE-së për Trepçën “është dëshmi se BE-ja e ka humbur rrugën në oborr”.
“Deklarata e zëdhënëses së Komisionit Europian, Maja Kocijancic, dhënë medieve serbe, se Trepça duhet të jetë pjesë e Dialogut është qëndrim i papresedan, i papranueshëm dhe, si i tillë cenon sovranitetin e shtetit të Kosovës”, ka shkruar Haradinaj.
Zëdhënesja Kocijançiq, të martën, nga agjencia serbe e lajmeve Tanjug, është cituar t’i jetë përgjigjur pyetjes për pasojat që mund të ketë dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pas miratimit të Statutit të Trepçës nga Kuvendi i Kosovës. Sipas kësaj agjencie, Kocijançiq ka theksuar se “të gjitha çështjet ndërmjet dy palëve duhet të zgjidhen përmes finalizimit të dialogut”.