Kushtetuesja pezullon Ligjin për paga
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur që të pezullohet zbatimi i Ligjit për pagat në sektorin publik.
Në një komunikatë për media të Gjykatë s Kushtetuese, thuhet të zbatohet “masa e përkohshme në kohë zgjatje deri më 30 mars 2020, nga data e nxjerrjes se kë tij vendimi” dhe të “pezullohet menjëherë zbatimin e këtij ligji në kohëzgjatje të njëjtë”.
Ligjin për paga, më 6 dhjetor të këtij viti në Gjykatën Kushtetuese e ka dërguar institucioni i Avokatit të Popullit, për siç thuhet “vlerësimin e përputhshmërisë” së këtij ligji me Kushtetutën.
Ligji për paga është miratuar në muajin shkurt të këtij viti, kurse në fillim të këtij muaji ka hyrë në fuqi.
Ky ligj rregullon rritjen e pagave për 70 për qind të punëtorëve në sektorin publik, kurse 30 për qind mbeten jashtë.
Por, punonjës në sektorë të ndryshëm publikë, tashmë kanë filluar t’i shprehin pakënaqësitë e tyre. Disa kërkojnë që Ligji për paga të fillojë të zbatohet dhe pagat e dhjetorit t’i marrin me rritje.
Kurse disa të tjerë kërkojnë ky ligj të mos zbatohet, për shkak se e cilësojnë si ligj diskriminues.
Sindikatat që kërkojnë zbatimin e ligjit tashmë kanë paralajmëruar greva. Federata Sindikale e Shëndetësisë ka paralajmëruar se më 13 dhjetor, 2019, duke filluar nga ora 7 deri në orën 15:00 të mbahet grevë e përgjithshme brenda institucioneve shëndetësore.
Edhe Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK) për ditën e premte ka paralajmëruar grevë dyorëshe, duke filluar nga çerdhet deri tek universitetet.