Presidenti ukrainas i gatshëm për bisedime të paqes me Rusinë
Një zëdhënës i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyi, tha se Ukraina është e gatshme të mbajë menjëherë bisedime të paqes me Rusinë dhe për mundësinë e një armëpushimi.
Rusia ka thënë se do të bisedonte me delegacionin ukrainas, vetëm nëse ushtria ukrainase dorëzohet.
Zëdhënësi i presidentit Zelenskyi, Serhiy Nykyforov, shkroi në Facebook se mohonte deklaratat se “ne kemi refuzuar që të mbajmë bisedime".
“Ukraina ishte dhe vazhdon të jetë e gatshme për bisedime për t’i dhënë fund luftimeve dhe për paqe. Ky është pozicioni ynë i pandryshueshëm”, tha ai.
“Ne jemi pajtuar me ofertën e presidentit rus. Në këtë moment, palët janë duke u konsultuar për vendin dhe kohën e mbajtjes së procesit negociues. Sa më shpejt që bisedimet të nisin, shanset janë të mëdha që t’i kthehemi jetës normale”, tha Nykyforov.
Më herët gjatë të premtes, Kremlini tha se presidenti rus, Vladimir Putin, ka ofruar të mbajë bisedime me delegacionin ukrainas. Bisedimet u propozuan që të mbahen në Bjellorusi.
Shtetet e Bashkuara kanë thënë se oferta e Kremlinit nuk është diplomaci e vërtetë dhe ka kërkuar që Rusia të ndalë ofensivën në Ukrainë.
Drejtpërdrejtë: Zhvillimet e fundit në Ukrainë