Thaçi: Raporti i zgjerimit nuk reflekton situatën në Kosovë
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pranuar të enjten, Raportin për Zgjerim të Komisionit Evropian nga shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova.
Në një komunikatë për media të lëshuar nga presidenca, presidenti Thaçi ka shprehur zhgënjimin e tij, duke thënë se raporti merret më shumë me taksën që Qeveria e Kosovës ka vënë në mallrat e Serbisë dhe Bosnjës dhe fare pak me vlerësimin real të fushave të caktuara.
“Gjuha e përdorur në raport, e cilëson Kosovën si një shtet që pothuajse nuk ka bërë fare progres që nga shpallja e pavarësisë. Fraza më së shpeshti e përdorur për vlerësimin e fushave të caktuara në këtë raport është: ‘Kosova është në faza të hershme/fillestare në çdo fushë’, citohet të ketë thënë presidenti Thaçi.
Ky vlerësim dhe gjuha e përdorur, sipas presidentit nuk reflekton në mënyrë objektive situatën në Kosovë.
“Përderisa ne pranojmë kritika dhe jemi të vetëdijshëm për sfidat, nuk mund të lejojmë në pafundësi trajtimin jo fer që BE-ja ka ndaj Kosovës”, ka shtuar Thaçi, sipas së cilit, ky raport dekurajon vazhdimin e reformave, sidomos në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit.
Sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën, presidenti Thaçi ka theksuar se ky proces duhet të finalizohet menjëherë dhe pa asnjë kushtëzim shtesë, në të kundërtën, sipas tij, kredibiliteti i BE-së do të dëmtohet seriozisht.
Komisioni Evropian ka publikuar një ditë më parë paketën vjetore të zgjerimit, e cila përcakton përparimin që kanë bërë vendet që synojnë integrimin në Bashkimin Evropian.
Pakoja e zgjerimit paraqet dokumentin më të rëndësishëm për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë, ku objektivisht përcaktohet gjendja faktike në çdo vend dhe vlerësohet përparimi, por edhe mangësitë në përmbushjen e kritereve në procesin e integrimit.