Shell tërhiqet nga Rusia
Gjiganti i energjisë Shell njoftoi se do t’i ndalojë të gjitha blerjet e naftës dhe gazit nga Rusia dhe se do t’i mbyllë operacionet e tjera në këtë vend.
Me këtë veprim, Shell u bashkohet dhjetëra kompanive të tjera, që kanë ndërprerë lidhjet me Rusinë, për shkak të pushtimit të paprovokuar të Ukrainës.
Shell u kritikua shumë në fundjavë, pasi bleu një ngarkesë të naftës së papërpunuar ruse me një çmim të zbritur.
Shefi i kompanisë, Ben van Beurden, tha të martën se blerja e naftës ruse ka qenë gabim.
"Ne jemi shumë të vetëdijshëm se vendimi ynë javën e kaluar, për të blerë një ngarkesë me naftë bruto ruse, nuk ka qenë i duhuri dhe na vjen keq", tha van Beurden.
Kompania shumëkombëshe e energjisë, Shell, ka selinë në Londër.
Menjëherë pas njoftimit të saj, ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, reagoi në Twitter, duke thënë se i është mirënjohës Shell-it për këtë "hap moral dhe të përgjegjshëm".
Kuleba inkurajoi edhe bizneset tjera botërore që të ndjekin shembullin.
Moska filloi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt. Që atëherë, më shumë se 2 milionë civilë u larguan nga vendi i pushtuar.
Dhjetëra kompani, përfshirë firma të mëdha të sektorit të naftës, si BP dhe Exxon, u tërhoqën nga Rusia.
Kjo, pasi Perëndimi vendosi sanksione të ashpra ndaj saj si ndëshkim për agresionin në Ukrainë.
Për lajme në kohë reale nga lufta në Ukrainë, na përcillni në këtë blog.