Dy viktima dhe 2,243 raste të reja me koronavirus në Kosovë
Ministria e Shëndetësisë në Kosovë ka njoftuar se të hënën, më 24 janar, janë regjistruar 2,243 raste të reja me koronavirus, pas testimit të 8,416 mostrave.
Shkalla e pozitivitetit nga mostrat e marra është 26.65 për qind.
Në 24 orët e fundit janë regjistruar dy viktima.
Autoritetet shëndetësore kanë njoftuar edhe se 465 persona janë shëruar derisa 19,519 persona janë ende aktivë në koronavirus.
Kosova ka nisur fushatën e vaksinimit kundër koronavirusit në mars të vitit të kaluar.
Prej atëherë janë dhënë mbi 1.7 milion doza të vaksinës.
Deri më tani, me dy doza të vaksinës janë imunizuar 799,939 persona apo 44.5 për qind e popullsisë.
Qytetarët në Kosovë mund të marrin vaksina të kompanive: Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca.
Doza përforcuese e vaksinës mund të merret pas tre muajve të marrjes së dozës së dytë.
Qeveria e Kosovës ka miratuar të premten, 21 janar, masa të reja për luftim të pandemisë.
Sipas vendimit të Qeverisë, qytetarët që hyjnë në Kosovë duhet të jenë të vaksinuar plotësisht dhe të kenë edhe dozën përforcuese.
Ata që nuk kanë dozën përforcuese, duhet të kenë test negativ të llojit PCR, të vlefshëm për 48 orë.
Kufizimi i qarkullimit do të aplikohet nga ora 22:00 deri në orën 05:00.
Bizneset e gastronomisë mund të zhvillojnë aktivitetin e tyre nga ora 05:00 deri më 21:00.