Trump nënshkruan paketën e ndihmës prej gati 500 miliardë dollarësh
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, nënshkroi një paketë të ndihmës, në vlerë prej gati 500 miliardë dollarësh, për rimëkëmbjen e ekonomisë së goditur nga pandemia e koronavirusit.
Paketa është edhe një përpjekje e Qeverisë amerikane për të ndihmuar bizneset që është dashur të mbyllen, për të frenuar përhapjen e sëmundjes.
Gjatë pesë javëve të fundit, afro 26 milionë njerëz kanë mbetur pa punë në SHBA.
Trump falënderoi Kongresin që, siç tha, i është përgjigjur thirrjes së tij për ndihmë.
“Fitore e jashtëzakonshme”, tha Trump.
“Shumë mirë për bizneset e vogla, shumë mirë për punëtorët”, shtoi ai.
Shtetet e Bashkuara janë vendi më i prekur në botë nga koronavirusi.
Të premten, numri i viktimave atje ka kaluar 50,000, ndërsa i të infektuarve është mbi 880,000.
Në gjithë botën, mbi 2.7 milionë njerëz janë infektuar dhe mbi 194,000 kanë vdekur.
Për më shumë lajme rreth koronavirusit përcilleni blogun e Radios Evropa e Lirë.