Mustafa: Ushtria do të jetë fitore për Kosovën dhe SHBA-në
Udhëheqësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, tha se themelimi i ushtrisë së Kosovës, që nisi të mërkurën me proceduarat parlamentare, “do të jetë një fitore e rëndësishme për Kosovën, por edhe për Shtetet e Bashkuara, të cilat e përkrahën këtë proces".
Komisioni parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të Forcës së Sigurisë së Kosovës miratoi sot tri projektligje për Forcën e Sigurisë së Kosovës, që do ta transformojnë atë në forcë të armatosur.
Mustafa, në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook, tha se FSK-ja, si ushtri e vendit, meriton përkrahjen e të gjithëve, në mënyrë që "të bëhet pjesë e NATO-s".
Në Komisionin parlamentar, përfaqësuesi i Listës Serbe, Zoran Mojsiloviq, votoi kundër.
Lista Serbe vazhdimisht e ka kundërshtuar transformimin e FSK-së në forcë të armatosur, duke pamundësuar që një transformim i tillë të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese.
Prandaj, Qeveria e Kosovës ka prezantuar një pako të projektligjeve që ky transformim të bëhet përmes ndryshimeve ligjore.