Rusia gjobit Radion Evropa e Lirë
Një gjykatë në Rusi e gjobiti Radion Evropa e Lirë për, siç tha, dështimin për të vepruar në përputhje me një ligj rus, i cili rregullon mediat e markuara nga qeveria si "agjentë të huaj".
Gjykata e Qarkut në Moskë e urdhëroi Radion Evropa e Lirë të paguajë 100,000 rubla, apo 1,600 dollarë, pasi gjykatësi e refuzoi kërkesën e avokatit mbrojtës të kompanisë për të shtyrë seancën dëgjimore.
Radio Evropa e Lirë tha se po i shqyrtonte mundësitë e saj ligjore.
Shkeljet e Ligjit për agjentë të huaj mund të çojnë në akuza penale kundër Radios Evropa e Lirë dhe stafit të saj në Rusi dhe të kërcënojnë operacionet e saj në këtë vend.
Presidenti i Radios Evropa e Lirë, Thomas Kent, tha se persekutimi i Radios në gjykatën ruse "është përshkallëzim i mprehtë i veprimeve të Rusisë për të paralizuar punën e kompanisë dhe për të hedhur dyshime publike mbi stafin e saj rus".
Radio Evropa e Lirë mbështetet nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara.
Vendimi i së enjtes vjen tetë muaj pasi Ministria e Drejtësisë e Rusisë e ka etiketuar Radion Evropa e Lirë si "agjente të huaj", ashtu si edhe Zërin e Amerikës dhe disa shërbime të tjera.