Të paktën tetë persona të vdekur pas të shtënave në një shkollë në Teksas
Të paktën tetë persona janë raportuar të vdekur pas të shtënave në një shkollë të mesme në Teksas.
Një person gjendet në mbajtje, pas sulmit në shkollën e mesme "Santa Fe", e cila është rreth 65 kilometra në jug të Hjustonit, kanë thënë zyrtarët e shkollës.
Ata kanë konfirmuar se personat janë plagosur pas një incidenti me të shtëna.
Ende nuk është bërë e ditur nëse sulmuesi ka qenë student.
Sherifi i qarkut Harris, ka njoftuar përmes një postimi në Facebook se oficerët janë duke iu përgjigjur incidentit.
Disa studentë kanë thënë se kanë dëgjuar nisjen e alarmit, ndonëse nuk dihet se si është aktivizuar.
Një dëshmitar i ka thënë televizionit KTRK-TV, se të shtënat kanë ndodhur në klasën e tij dhe sulmuesi ka qëlluar një vajzë.
“Dikush ka hyrë në klasë me armë zjarri dhe ka nisur të shtënat”, ka thënë nxënësi, duke shtuar se vajza është qëlluar në këmbë.
Presidenti amerikan, Donald Trump e ka cilësuar sulmin si “absolutisht të tmerrshëm”.
“Administrata ime është e vendosur për të bërë gjithçka që mundet për të mbrojtur nxënësit, të sigurojë shkollat dhe të largojë armët nga duart e nxënësve dhe nga ata që përbëjnë këcënim për veten dhe të tjerët”, ka shtuar ai.