Armenia: 105 ushtarë kanë vdekur në përleshjet kundër Azerbajxhanit
Azerbajxhani ka thënë se 50 trupa ushtarake të tij janë vrarë po ashtu në luftime.
Të dyja palët fajësojnë njëra-tjetrën për shpërthimin e ri të konfliktit.
Përleshjet e reja, që kanë nisur në orët e vona të së hënës, janë pjesë e mosmarrëveshjeve të këtyre dy republikave të ish-Bashkimit Sovjetik për rajonin e Nagorno-Karabakut.
Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë bërë thirrje për paqe mes dy vendeve.
Duke folur para Parlamentit të shtetit, Pashinyan ka thënë se 105 ushtarë armenë janë vrarë prej të hënës.
Ai ka akuzuar trupat azerbajxhanase për pushtim të 10 kilometrave katrorë të territorit armen këtë javë, dhe ka thënë se shteti i është kthyer Rusisë për kërkim të ndihmës ushtarake.
Rusia njihet si aleate e Armenisë, ndërsa Turqia e Azerbajxhanit.
Azerbajxhani hedh poshtë pretendimet e Armenisë për zhvillimet e kësaj jave, duke përfshirë raportimet se ka shtënë me armë kundër pajisjeve që u përkasin shërbimeve ruse të sigurisë (FSB), të cilat janë të stacionuara brenda Armenisë.
Autoritetet azerbajxhanase besojnë se Armenia ka nisur konfliktin duke bombarduar shënjestra ushtarake në distriktin Kalbaçar.
“Njësitet tona janë duke marrë veprimet e nevojshme”, ka thënë ministria e Mbrojtjes në Azerbajxhan, sipas agjencisë së lajmeve, Reuters.
Një armëpushim i brishtë, i ndërmjetësuar të martën nga Rusia, ka dështuar të zbatohet dhe të dyja palët fajësojnë njëra-tjetrën për shkelje të tij.
Për luftime është raportuar edhe në mbrëmjen e së mërkurës.
Këto janë luftimet më të ashpra mes dy vendeve në dy vjetët e fundit.
Armenia dhe Azerbajxhani, me ndërmjetësim të Rusisë, janë pajtuar për arritje të armëpushimit më 2020, pas luftës së zhvilluar për gjashtë javë në vjeshtën e po atij viti për rajonin e Nagorno-Karabakut.
Ky rajon është njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, por është kontrolluar nga armenët etnikë qysh në fillim të viteve 1990.
Rreth 6.000 njerëz janë vrarë në luftimet e vitit 2020.
Sipas marrëveshjes, një pjesë e Nagorno Karabakut dhe të shtatë zonat përreth tij, janë vendosur nën administrimin e Azerbajxhanit, pas gati 30 vjetësh nën kontrollin e forcave etnike armene.