Polemika pas refuzimit të nismës për referendum
Reagimi pason vendimin e kryetarit të Kuvendit, i cili më 13 shtator hodhi poshtë nismën e VMRO DPMNE-së, për referendum kundër marrëveshjes me Bullgarinë.
Nisma ishte dorëzuar me arsyetimin se “Marrëveshja me Bullgarinë është antikombëtare dhe antishtetërore, pasi rrezikon identitetin dhe gjuhën maqedonase”.
Kjo marrëveshje që ka zhbllokuar nisjen e bisedimeve të anëtarësimit në Bashkimin Evropian(BE) është ratifikuar nga Maqedonia e Veriut më 19 korrik.
Nëpërmjet një komunikate, Xhaferi tha se “iniciativa për referendum nuk është në përputhje me Kushtetutën”, në të cilën, sipas kreut të Kuvendit, thuhet se “marrëveshjet ndërkombëtare që janë ratifikuar, janë pjesë e rendit të brendshëm juridik dhe nuk mund të ndryshohen me ligj”.
Deputetja e VMRO DPMNE-së, Dafina Stojanovska, tha se pretendimi i Xhaferit për antikushtetutshmërinë e iniciativës nuk qëndron, pasi sipas saj, nisma është në përputhje me Ligjin për referendum.
“Referendumi për anulimin e Ligjit për ratifikimin e Marrëveshjes me Bullgarinë është në përputhje me nenin 24 të Ligjit për referendum dhe nuk bie ndesh me Kushtetutën. [Ky nen] mundëson referendum edhe për marrëveshjet ndërkombëtare. Pyetja që VMRO DPMNE-ja do të parashtrojë në referendum, nuk e ndryshon përmbajtjen e marrëveshjes, por konteston ligjin e ratifikimit që e shpall atë të pavlefshëm”, tha ajo.
Stojanovska tha se pas vendimit të Xhaferit qëndron Lidhja Social Demokrate, e cila, sipas saj, po ikë nga populli maqedonas dhe qytetarët e tjerë.
“Ajo ka frikë dhe ikë nga zgjedhjet, po ikë nga referendumi, por nuk do të mund të ikë nga humbja në zgjedhjet e ardhshme, ku do të japë përgjegjësi para ligjeve dhe Kushtetutës”, tha Stojanovska.
Marrëveshja me Bullgarinë ishte propozuar nga Franca dhe parasheh që gjatë procesit të bisedimeve me Bashkimin Evropian, Maqedonia e Veriut të zgjidhë çështjet e hapura lidhur me aspektet historike, ndërsa ato për gjuhën dhe identitetin është thënë se nuk do të jenë pjesë e bisedimeve.
Lidhja Social Demokrate që drejtohet nga kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se nisma e VMRO DPMNE-së ka për qëllim pengimin e rrugës së integrimit të Maqedonisë së Veriut në BE.
“Mickoski [kryetari i VMRO DPMNE-së] është kundër BE-së dhe NATO-s, ai dëshiron që ne të ndalemi, të kthehemi në periudhën e izolimit të vendit. Ne kemi filluar negociatat me BE-në si maqedonas dhe gjuha jonë maqedonase ka hyrë në BE, nuk ka kthim prapa nga ajo rrugë. Anëtarësimi ynë në NATO varet pikërisht nga rezolutat dhe marrëveshjet që janë ratifikuar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut”, ka deklaruar kryetari i Grupit Parlamentar të LSDM-së, Jovan Mitreski.
Sipas tij, dikur VMRO-DPMNE ishte parti që kujdesej për interesat strategjike shtetërore, votonte rezoluta, deklarata për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE dhe NATO, “ndërsa sot me këtë lidership ajo po bën gjithçka për të kërcënuar anëtarësimin në NATO dhe për të penguar rrugën drejt BE-së”.
Sipas marrëveshjes së arritur me Bullgarinë, Maqedonia e Veriut para nisjes formale të bisedimeve për anëtarësim në bllok, duhet të ndryshojë Kushtetutën për të përfshirë pakicën bullgare në preambulën e saj.
Pas dështimit të nismës për referendum, VMRO DPMNE-ja tha se tani do të përkushtohet në pengimin e ndryshimeve kushtetuese.
Ndryshimi i Kushtetutës maqedonase mund të bëhet me dy të tretat e votave, të cilat shumica parlamentare nuk i ka, por nga Qeveria besojnë se në radhët e opozitës ka forca progresive që nuk do të pengojnë integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut.
Zëvendëskryeministri Artan Grubi tha se shumica parlamentare do të arrijë t'i kalojë edhe ndryshimet kushtetuese.
“Unë jam i bindur se do të jemi në krye të ndryshimeve kushtetuese dhe se forcat progresive do të ngadhënjejnë ndaj atyre regresive, të cilat nuk duan që vendi ynë të jetë pjesë e BE-së. Mendoj se është koha që të gjitha partitë të çlirohen nga mënyra regresive e veprimit të tyre, por të punojnë për një shtet progresiv evropian”, tha ai.
Maqedonia e Veriut statusin e shtetit kandidat e ka fituar në vitin 2005. Pas 17 vjet pritjeje për shkak të kontestit fillimisht me Greqinë për emrin e shtetit dhe tani me Bullgarinë, ajo më 19 korrik nisi bisedimet për anëtarësim.
Ky proces ky që nuk do të jetë i lehtë për shkak të detyrimeve që ka në Marrëveshjen me Bullgarinë, e cila për dy vjet e mbajti të bllokuar çeljen e bisedimeve me Bashkimin Evropian.