Sërish kërkohet shkarkimi i prokurorëve lidhur me rastin e dhunimit të së miturës
Anita Mjeku nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist tha se këta dy prokurorë janë përgjegjës për mosparandalimin e dhunimit të një të miture.
Lajmi për dhunimin e 11-vjeçares në Prishtinë u bë publik muajin e kaluar.
Gjatë aksionit të sotëm në hyrjen e Këshillit Prokurorial u vendosën shirita të policisë, me emrat e dy prokurorëve dhe organizatorët thanë se shiritat simbolizojnë “skenën e krimit”.
“Dhunimi i vajzës 11-vjeçare nga pesë burra muajin e kaluar ishte ngjarje që mund të parandalohej. Kjo nuk do të ndodhte nëse prokurori i rastit, Ruhan Salihu nuk do të bënte punën e tij në qershor, kur dhunimi i të miturës nga gjashtë persona u raportuar. Ne jemi të vetëdijshëm se të paktën dy raste të dhunës seksuale, në të cilat Ruhan Salihu ka qenë prokuror, ai nuk i ka trajtuar me seriozitet ato”, tha ajo.
Dorëheqjen e Munishit e ka kërkuar më 4 shtator edhe ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu. Ajo kishte vlerësuar se duhet të merren masa kundër “prokurorëve dhe gjyqtarëve që nuk kryejnë detyrat e tyre”.
Në Kosovë janë mbajtur një sërë protestash pas dhunimit të së miturës. Protestuesit kanë kërkuar përgjegjësi nga organet e drejtësisë.
Mjeku ka shtuar se protestat para Këshillit Prokurorial të Kosovës do të vazhdojnë derisa të shkarkohen prokurorët Salihu dhe Munishi.
Protestuesit po ashtu po kërkojnë që rasti i dhunimit të së miturës të kalojë në Prokurorinë Speciale.
Më 5 shtator, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se 11-vjeçarja, që u dhunua nga pesë persona në Prishtinë më 27 gusht, ishte abuzuar seksualisht për më shumë se një vit.
Deri më tani, autoritetet kanë caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për 11 të dyshuarit për dy rastet e dhunimit të 11-vjeçares.
Policia e Kosovës ka thënë se çdo ditë raportohen dhjetëra raste të dhunimit seksual.
Ndërkaq, sipas të dhënave të Rrjetit të Grave, numri më i madh i dhunimeve janë vajzat e moshës 13 deri në 16 vjeç.
Kodi Penal i Kosovës parasheh dënime nga 2 deri në 15 vjet burgim për dhunimin dhe sulmet e tjera seksuale.