SHBA: Rusia financoi fshehurazi parti në Shqipëri, Bosnje e Mal të Zi
Zyrtari që foli për media, tha se ky është përfundimi i një raporti të komunitetit amerikan të zbulimit, i cili ka analizuar financimet e Rusisë “në mbi 24 vende gjatë viteve të fundit”.
Sipas një burimi me njohuri mbi raportin, Shqipëria është një nga këto vende.
“Në Shqipëri, Rusia i dha rreth gjysmë milioni dollarë Partisë Demokratike në vitin 2017, përmes kompanive fantazëm”, tha burimi i Qeverisë amerikane.
Burimi nuk dha hollësi të mëtejshme për rastin e Shqipërisë. Por, viti 2017, emri i Partisë Demokratike dhe shifra e përmendur prej qindra mijëra dollarësh përkojnë me hetimet që janë hapur në Shqipëri në atë kohë ndaj PD-së, bazuar në deklarimet që firma lobuese amerikane “Muzin Capitol Partners” ka raportuar se ka marrë nga PD-ja.
Firma lobuese amerikane ka deklaruar në vitin 2018 në Departamentin amerikan të Drejtësisë, se ajo ka marrë gjithsej tri pagesa, në një shumë prej 675 mijë dollarësh, për punën e saj në favor të Partisë Demokratike në vitin 2017.
Veç Shqipërisë, sipas burimit të administratës amerikane, në raport përmenden edhe Bosnje e Hercegovina dhe Mali i Zi.
Raporti përmend financimin e fushatës së udhëheqësit të serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik, për zgjedhjet e vitit 2018, si dhe fonde për partinë pro-ruse në Mal të Zi, Fronti Demokratik.
Zyrtari amerikan tha për mediat se Shtetet e Bashkuara janë angazhuar me aleatët dhe partnerët për të mbledhur më shumë informacion për rrezikun e financimit rus për partitë politike.
Lajmin e zgjeruar mund ta lexoni te Zëri i Amerikës.