OBSH: Origjina e paqartë e COVID-it, të studiohet teoria e rrjedhjes laboratorike
Ky qëndrim shënon një përmbysje të mprehtë të vlerësimit fillestar të Agjencisë së Shëndetit të OKB-së për origjinën e pandemisë. OBSH-ja, vitin e kaluar, arriti në përfundimin se ishte “jashtëzakonisht pak e mundshme” që COVID-19 është përhapur te njerëzit nga laboratori.
Shumë shkencëtarë dyshojnë se koronavirusi është transmetuar te njerëzit nga lakuriqët e natës, përmes kafshëve të tjera. Në raportin e publikuar të enjten, grupi i ekspertëve të OBSH-së tha se ende mungojnë “të dhënat kryesore” , të cilat do ta sqaronin se si filloi pandemia.
Shkencëtarët thanë se grupi “do të mbetet i hapur për të gjitha provat shkencore që do të jenë të qasshme në të ardhmen, në mënyrë që të mundësojë testimin gjithëpërfshirës të të gjitha hipotezave të arsyeshme”.
Identifikimi i burimit të sëmundjes tek kafshët zakonisht zgjatë me vite. U deshën rreth 15 vjet që shkencëtarët të gjenin llojet e lakuriqëve të natës që ishin rezervuar natyror për SARS-in, kushëri i COVID-19.
Grupi i ekspertëve të OBSH-së gjithashtu vuri në dukje se, duke qenë se aksidentet laboratorike kanë shkaktuar disa epidemi në të kaluarën, kjo teori, shumë e politizuar, nuk mund të hidhet poshtë.
Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka spekuluar disa herë - pa prova - se COVID-19 u nis në një laborator kinez. Ai akuzoi gjithashtu OBSH-në për “bashkëpunim të fshehtë” me Kinën për të mbuluar epideminë fillestare, duke iu referuar faktit se OBSH-ja në vazhdimësi e ka lavdëruar publikisht këtë vend.
Grupi i ekspertëve të OBSH-së tha se drejtori i përgjithshëm i agjencisë së shëndetit të OKB-së, Tedros Adhanom Gebrejesus u dërgoi, në muajin shkurt, dy letra zyrtarëve të lartë të qeverisë kineze, duke kërkuar informacione, përfshirë detajet për rastet më të hershme njerëzore të COVID-19 në qytetin e Vuhan. Është e paqartë nëse kinezët u përgjigjën.
Ekspertët thanë se OBSH-së nuk i është dorëzuar asnjë studim, i cili do të vlerësonte mundësinë e përhapjes së COVID-19, si rezultat i një rrjedhjeje nga laboratori.
Ata thanë se të kuptuarit e tyre, lidhur me atë se si u shfaq koronavirusi, ishte i kufizuar në disa faktorë, duke përfshirë faktin se jo të gjitha kërkimet e paraqitura nga shkencëtarët kinezë ishin publikuar.
Jamie Metzl, i cili është anëtar i grupit të pavarur këshillues të OBSH-së, sugjeroi që Grupi i shtatë kombeve të industrializuara të vendosë hetimin e vet për origjinën e COVID-19, duke thënë se OBSH-së i mungonte autoriteti politik, ekspertiza shkencore dhe pavarësia për të kryer një vlerësim të tillë kritik.
Metzl përshëndeti thirrjen e OBSH-së për hetime të mëtejshme mbi mundësinë e një rrjedhjeje nga laboratori, por tha se kjo nuk ishte e mjaftueshme.
“Tragjikisht, qeveria kineze vazhdon të refuzojë të ndajë të dhënat bazë të papërpunuara dhe nuk do të lejojë auditimin e nevojshëm dhe të plotë të laboratorit në Vuhan”, theksoi ai dhe shtoi:
“Marrja e qasjes në këtë informacion është thelbësore për të kuptuar se si filloi kjo pandemi dhe për të parandaluar pandemitë e ardhshme”.
Ekspertët shkencorë të OBSH-së thanë se nevojiten një sërë rrugësh kërkimore, duke përfshirë studime që vlerësojnë rolin e kafshëve të egra, të cilat konsiderohen se janë rezervuari natyror i COVID-19, si dhe studime mjedisore në vendet ku virusi mund të jetë përhapur për herë të parë, siç është tregu i ushqimeve të detit në Huanan, në Vuhan.
Në mars të vitit 2021, OBSH-ja publikoi një raport mbi origjinën e COVID-19, pas një vizite shumë formale të shkencëtarëve ndërkombëtarë në Kinë. Raporti arriti në përfundimin se sëmundja ka shumë të ngjarë të jetë përhapur te njerëzit nga lakuriqët e natës dhe se nuk kishte prova që të tregonin një lidhje me laboratorin.
Megjithatë, pas kritikave të rëndësishme, përfshirë nga disa shkencëtarë nga ekipi i OBSH-së, kreu i OBSH-së, Tedros Gebrejesus, pranoi se ishte “e parakohshme” të përjashtohej rrjedhja nga laboratori dhe tha se i është lutur Kinës që të ishte më transparente në shkëmbimin e informacioneve.
Në raportin e saj të ri, OBSH-ja tha se ekspertët kanë fituar qasje në të dhënat që përfshijnë mostra të papublikuara gjaku nga më shumë se 40,000 njerëz në Vuhan, në vitin 2019. Mostrat u testuan për antitrupa ndaj COVID-19. Asnjë nuk u gjet, duke sugjeruar se virusi nuk u përhap përpara se të identifikohej për herë të parë në fund të dhjetorit të atij viti.
Ekspertët e OBSH-së kanë bërë thirrje për një numër studimesh, duke përfshirë testimin e kafshëve të egra, për të zbuluar se cilat specie mund të jenë nikoqire të COVID-19.
Për të hulumtuar nëse pandemia COVID-19 mund të ketë qenë rezultat i një aksidenti laboratorik, ekspertët e OBSH-së thanë se kërkimi duhet të kryhet “me stafin laboratorik të ngarkuar për menaxhimin dhe zbatimin e sigurisë biologjike”, duke thënë se kjo do të sigurojë më shumë informacione për atë se si janë menaxhuar viruset e ndërlidhura me COVID-19.
Më herët, Kina e vlerësoi si “të pabazuar” sugjerimin se COVID-19 e kishte origjinën në laborator dhe deklaroi se virusi mund të kishte origjinën në objektet amerikane, për të cilat dihej gjithashtu se po hetojnë koronavirusët te kafshët.
Qeveria kineze tha se e mbështet kërkimin për origjinën e pandemisë, por se vendet e tjera duhet të jenë në fokus.
Shkencëtarët e lidhur me OBSH-në paralajmëruan në gusht të vitit 2021 se kërkimi për origjinën e pandemisë kishte ngecur dhe se dritarja e mundësive po “mbyllet shpejt”. Ata paralajmëruan se mbledhja e të dhënave, të cilat tani janë të vjetra të paktën dy vjet, është gjithnjë e më e vështirë.