Shtatë të vdekur dhe 385 raste të reja me koronavirus
Të premten në Kosovë janë shënuar edhe 7 raste të vdekjeve nga koronavirusi i ri. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në njoftimin ditor bëri të ditur se nga 1442 mostra, janë shënuar si të infektuar me koronavirus 385 persona.
Rastet e vdekjeve janë nga komunat: Klinë, Prizren, Deçan, Gjakovë Gjilan dhe Graçanicë.
Raste aktive aktualisht janë 11.307 ndërsa si të shëruar janë regjistruar edhe 351 persona.
Që nga 13 marsi kur janë paraqitur rastet e para me koronavirus në Kosovë janë regjistruar 48.337 raste pozitive, prej të cilëve 1.240 kanë vdekur ndërsa 35.790 janë shëruar.
Në një konferencë për media, ministri Shëndetësisë, Armend Zemaj, tha se është formuar komisioni për negociim dhe kordinim për sigurimin e vaksinave kundër koronavirusit dhe grupi punues për definimin e nevojave për vaksinën.
“COVAX do të sigurojë 20% të vaksinave për 92 vende duke përfshirë edhe ekonomi tjera të kualifikuara që vaksinën ta kemi në dispozicion në tre muajt e parë të vitit 2021”, tha Zemaj.
Programi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COVAX, përbën skemën kryesore globale të vaksinimit kundër koronavirusit në shtetet me të ardhura të ulëta apo të mesme në gjithë botën.
Zemaj tha se qytetarët e Kosovës duhet të jenë të sigurtë se do të kenë vaksina kundër koronavirusit.
Javën e ardhshme masa të reja
Zemaj tha se Ministra e Shëndetësisë dhe institucionet tjera janë duke përgatitur masa tjera që do të jenë në fuqi nga java e ardhshme dhe nuk do të vlejnë vetëm për komuna por në nivel vendi. Institucionet e Kosovës disa herë kanë paralajmëruar se do të vendosin masa shtesë gjatë festive të fundvitit.
Ministri Zemaj, bëri të ditur se për javën tjetër është ndryshuar edhe përbërja e komunave që janë të klasifikuara në bazë të rrezikut të përhapjes së pandemisë.
Kështu në zonën e kuqe janë 11 komuna nga 16 sa ishin javën e kaluar: Prishtina, Zveçani, Zubin Potoku, Fushë Kosova, Obiliqi, Mitrovica e Jugut, Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Lipjani, Drenasi dhe Podujeva. Në kategorinë e verdhë janë komunat: Kamenica, Kllokoti, Gjakova, Vitia, Gjilani, Peja, Vushtria, Ferizaj, Shtërpca, Istogu dhe Ranillugu. Kategoria e gjelbër përfshin komunat: Graçanicë, Klinë, Hani i Elezit, Shtimje, Suharekë, Skenderaj, Malisheva, Parteshi, Rahoveci, Prizreni, Deçani, Novobërda, Kaçaniku, Juniku Dragashi dhe Mamusha.