Uji i ndotur po e kërcënon përmirësimin e kushteve të jetës në planet
Raporti i Bankës Botërore paralajmëroi për efektet e ndotjes së ujit në shëndet, ekonomi, arsim dhe bujqësi në vendet e pasura dhe të varfra, pa dallim.
"Ky studim është një thirrje e madhe zgjimi për ne sa i përket cilësisë së ujit në të gjithë botën”, tha Richard Damania, ekonomist i Bankës Botërore dhe një nga autorët e studimit.
Hulumtuesit e raportit të Bankës Botërore përdorën të dhëna satelitore dhe inteligjencën artificiale për të analizuar nivelet e azotit, kripës dhe oksigjenit si dhe nivelet ndotjes së ujit në nivel botëror.
"Bota ka tendencë të përqëndrohet në sasinë e ujit, siç janë përmbytjet dhe thatësirat, por ky raport përqendrohet në kërcënimet më të padukshme e që janë efektet e ndotësve në cilësinë e ujit", tha Damania.
Më 25 shtator të vitit 2015, 193 shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara ranë dakord për një plan 15-vjeçar, të quajtur Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, që synon të ndihmojë në përpjekjet për përmirësimin e kushteve të jetës, dhe një planet më të pastër.
