Thaçi dhe Daka bisedojnë për organizimin e zgjedhjeve
Presidenti Thaçi ka theksuar se menjëherë pas shpërndarjes së Kuvendit, dhe pas dekretimit të datës së zgjedhjeve, është e rëndësishme që të bëhen përgatitjet për të siguruar një proces zgjedhor fer dhe demokratik .
Këto komente, Thaçi i bëri pas gjatë një takimi me kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka.
Sipas një komunikate nga zyra e presidentit, në takim është biseduar për përgatitjet rreth organizmit të zgjedhjeve, pas paralajmërimit të partive politike parlamentare për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, më 22 gusht.
Nga ana tjetër, Valdete Daka, kryetare e KQZ-së, ka thënë se tashmë kanë filluar të bëhen përgatitjet teknike për organizimin e zgjedhjeve në Kosovë.
Të enjten, Kuvendi i Kosovës pritet të votojë për shpërndarjen e tij, çka i hap rrugë mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Para caktimit të kësaj seance nga ana e Kryesisë së Kuvendit, presidenti Thaçi i pati dërguar një letër kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, që në emër të koalicionit që ka fituar shumicën në Kuvend, në zgjedhjet e kaluara, të emërojë një kandidat të ri për kryeministër. Mirëpo, Veseli në përgjigjen e tij pati thënë se nuk do të ketë kandidat të ri, por do të ketë zgjedhje të parakohshme.
Më 19 korrik, Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga pozita e kryeministrit, pasi ishte ftuar për intervistim si i dyshuar, nga Gjykata Speciale në Hagë.
