Vuçiq: Dialogu me Prishtinën mund të vazhdojë në dhjetor
“Vështirë se mund të ketë vazhdim të dialogut para mbajtjes së zgjedhjeve në Kosovë, të cilat besoj se do të zhvillohen më 6 tetor. Kjo do të thotë se në rastin më të mirë, në fillim të dhjetorit mund të vazhdojë dialogu, por para kësaj, e rëndësishme është të bisedohet për heqjen e taksës”, ka thënë Vuçiq për televizionin serb, Prva.
Presidenti serb tha se “status quoja” është e pamundur, dhe se është e rëndësishme të ruhet paqja, pasi siç tha, “një pushkë nëse shkrepet atëherë askush nuk mund të ndalë bubullimën e topave, dhe kjo askujt nuk i duhet”.
Deklaratat e Vuçiqit bëhen pas takimit që ka realizuar në Nju Jork me Sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo.
Pompeo: Normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi forcon stabilitetin në Ballkanin Perëndimor
Pas takimit të zhvilluar të martën në mbrëmje, Vuçiq tha se ka kërkuar nga sekretari amerikan, që SHBA-ja të shtojë presion ndaj Kosovës për heqjen e taksës prej 100 për qind ndaj mallrave serbe, të vendosur në nëntor të vitit të kaluar.
“Ishte një takim shumë i rëndësishëm dhe informues për mua. Më duket se unë e kuptoj më mirë dhe më shumë pozicionin e SHBA-së, ankthet dhe frikën e tyre. Por, siç më duket mua, edhe ata e kuptojnë frikën dhe ankthet tona shumë më mirë", tha Vuçiq.
Ai gjithashtu tha se SHBA-ja nuk e ndryshon qëndrimin për pavarësinë e Kosovës, por siç tha, "ata po i hapin disa dyerë dhe e kuptojnë nevojën dhe domosdoshmërisë e arritjes së një marrëveshjeje në të cilën Serbia nuk do të degradohej dhe interesat e Serbisë nuk do të prisheshin".
Ndërkohë pas takimit që kishte me presidentin Vuçiq, sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo deklaroi përmes një postimi në Twitter, se normalizimi i raporteve të Serbisë me Kosovën, do ta forcojë stabilitetin dhe prosperitetin e Serbisë dhe Ballkanit Perëndimor, si dhe komunitetit transatlantik.
Ndërkohë, sipas një komunikate të lëshuar nga Departamenti i Shtetit në SHBA, Pompeo gjatë takimit ka inkurajuar Serbinë që të përqëndrohet në procesin e integrimit në BE, duke përshpejtuar reformat e brendshme, dhe rinisjen e negociatave me Kosovën për një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit të përqendruar në njohjen e ndërsjellë.
“Sekretari Sekretari përsëriti që të dyja palët duhet të shmangin provokimet që pengojnë procesin e normalizimit dhe të angazhohen me frymën e kompromisit dhe fleksibilitetit të nevojshëm për të siguruar një marrëveshje dhe për të zhbllokuar potencialin e të dyja vendeve”, thuhet në komunikatë.
Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të lehtësuara nga Bashkimi Evropian janë ndërprerë që nga nëntori i vitit të kaluar, për shkak të tarifës ndaj mallrave serbe të cilën e ka vendosur Qeveria e Kosovës.
Masa, sipas zyrtarëve në Prishtinë, është ndërmarrë për shkak të fushatës kundër shtetësisë së Kosovës, që e kanë zhvilluar zyrtarët serbë.
