Haradinaj-ambasadorëve të Kuintit: Taksa do të mbetet në fuqi
Sipas njoftimit të qeverisë, kryeministri demantoi informacionet “për të ashtuquajturën krizë humanitare në veri”.
Gjatë takimit me të ngarkuarën me Punë në Misionin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës, ambasadorët e Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Italisë dhe përfaqësuesin e Zyrës së BE-së në Kosovë,kryeministri Haradinaj ka theksuar se taksa doganore ndaj mallrave serbe dhe boshnjake do të mbetet në fuqi derisa qeveria e Kosovës të arrijë objektivat e saj.
“Qytetarëve të vendit, pa dallim vendi apo përkatësie etnike nuk do ju mungojë asnjë produkt bazik ushqimor dhe mjekësor dhe se deklaratat e politikanëve serbë janë veçse një veprim tjetër propagandues, i pavërtetë dhe i papranueshëm për realitetin në vend” thuhet në njoftimin e qeverisë.
Qeveria e Kosovës, sipas Haradinaj,ka qenë e detyruar të ndërmarrë këtë veprim pas pengesave të vazhdueshme që Serbia po ia bën Kosovës.
