Gazi lotsjellës sërish ndërpren seancën për Demarkacionin
Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës për ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi po zhvillohet nën tensione e masa të shtuara të sigurisë.
Hedhja e gazit lotsjellës dhe ndërprerja e seancës në katër rastet kur është provuar të votohet për ratifikimin e demarkacionit, ka sjellë si rezultat largimin e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje nga salla e Kuvendit nga Policia e Kosovës. Sidoqoftë, vetëm pesë prej tyre u është ndaluar pjesëmarrja në vazhdimin e seancës, kurse të tjerët janë lejuar të kthehen në sallë.
Largimi i deputetëve të Vetëvendosjes nga salla e Kuvendit ishte kërkesë e Kryesisë së këtij institucioni. Vendimin e Kryesisë, e ka postuar në rrjetin social facebook, deputetja e Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci.
Pesë nga deputetët e Vetëvendosjes, Liburn Aliu, Salih Zyba, Xhelal Sveçla, Fitore Pacolli – Dalipi dhe Drita Millaku janë shoqëruar në polici për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës.
Lëvizja Vetëvendosje, përmes hedhjes së gazit lotsjellës po përpiqet që ta pamundësojë votimin për ratifikimin e demarkacionit.
Zhvillimet në Kuvend, po i përcjell nga afër edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie. Ai tha se është i zhgënjyer me veprimet që po përdorë një parti politike për të penguar punën e Kuvendit.
“Jam i zhgënjyer që një parti politike po e përdorë dhunën për ta penguar demokracinë. Shpresoj që deputetët do të kthehen në Kuvend dhe të votojnë ratifikimin e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Do të doja që aty ta shoh edhe Listën Serbe të votoj”, tha Delawie.
Kosova ka nevojë për përparime, theksoi ai.
Ndërprerja e seancës me anë të gazit lotsjellës është dënuar nga pjesa tjetër e spektrit politik që përfaqësohet në Kuvend.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka thënë se aktetet e tilla, si hedhja e gazit lotsjellës në sallën ku po zhvillohej seanca, janë të papranueshme dhe bien ndesh me parimin e demokracisë.
“Duke e ditur rëndësinë e seancës së sotme dhe duke qenë e vetëdijshme se koalicioni qeverisës tashmë i ka siguruar votat e nevojshme për ta kaluar këtë marrëveshje jetike për qytetarët e Republikës së Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje edhe një herë dëshmoi që është po ajo e njëjta, me aktete të cilat i përsëriti pas tre vjetësh debati në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka thënë deputetja Deliu-Kodra.
Shefi i Grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se votimi për ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacionin do të marrë fund sot dhe se nuk duhet dorëzuar para akteve të tilla, sikurse hedhja e gazit lotsjellës që shkaktoi ndërprerjen e seancës.
“Është fatkeqësi për vendin. Mesazhe të tilla nuk duhet t’iu dërgojmë miqve tanë ndërkombëtarë. Nuk do të dorëzohemi para kërcënimeve të tilla, para formave të tilla të prishjes së rendit të punës në seancën e Kuvendit”, ka thënë Hoti.
Ndërkaq, deputeti i partisë Nisma, Milaim Zeka tha se Vetëvendosje kishte hedhur gazin lotsjellës në momentin kur e kishte kuptuar se u siguruan 80 votat për ratifikimin e Demarkacionit. Sipas tij, në sallë në atë moment ishte paraqitur edhe deputeti i komunitetit goran, Adem Hoxha, i cili është pjesë e Listës Serbe, por që kishte shprehur vullnetin ta votonte marrëveshjen. Në atë moment, sipas deputetit Zeka, Vetëvendosje kishte parandaluar procedurën e votimit përmes gazit lotsjellës.
“Personalisht mendoj që ky është turpi më i madh që po ndodhë në Kuvendin e Kosovës. Ky është terrorizim i parlamentit. Ku është gazi i botës dhe turpi i këtyre njerëzve. Do të thotë që përmes metodave më barbare, të sillesh në këtë mënyrë është turp”, tha Zeka.
Deputetja e lëvizjes vetëvendosje, Albulena Haxhiu e ka arsyetuar hedhjen e gazit lotësjellës në seancë duke thënë se veprimi i Lëvizjes Vetëvendosje është për të mbrojtur territorin e Kosovës.
“Ne kemi thënë që Lëvizja Vetëvendosje është konsistente në kundërshtim të Demarkacionit”, ka theksuar deputetja Haxhiu.
Votimi për demarkacionin pason debatin prej rreth nëntë orëve që u zhvillua të martën në seancën e jashtëzakonshme, e cila përfundoi në orët e hershme të mëngjesit të ditës së mërkurë.
Paraprakisht gjatë këtij viti, në tri raste Kuvendi ka ndërprerë seancën duke mos proceduar me votimin për demarkacionin, për shkak të mungesës së votave të nevojshme për ratifikim. Andaj, edhe sot, mbetet nën pikëpyetje nëse numri prej 80 votave të deputetëve, apo dy të tretave të numrit të përgjithshëm, është arritur të sigurohet që të procedohet me votimin.
Para fillimit të seancës, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka pritur në takim ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalyia Apostolova.
“Ka ardhur momenti që ta përfundojmë këtë dramë dhe ajo do të përfundojë ditën e sotme. Do ta votojmë marrëveshjen për shënjimin e vijës së kufirit, e cila do të thotë forcim të sovranitetit dhe në të njëjtën kohë forcim të partneritetit me Bashkimin Evropian, liberalizim të vizave dhe hapje të perspektivës së qytetarëve dhe shtetit drejt integrimeve të Bashkmimit Evropian" tha Veseli.
"Nuk do të lejojmë që për ego të askujt, për gabime të askujt që ky mund i yni, kjo sakrificë e qytetarëve tanë të shkojë kot”, theksoi ai.
Kurse shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Natalyia Apostolova, u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të votojnë në favor të Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi, në mënyrë që t’ua mundësojnë qytetarëve të lëvizin lirshëm në zonën Shengen.
Aktualisht, marrëveshja për demarkacionin po mbështetet nga partitë në pushtet, si Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re, si dhe partia opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës.
Por, pavarësisht këtij fakti, brenda këtyre subjekteve politike ka deputetë që po e mbajnë në dilema dhe pikëpyetje votën e tyre për apo kundër Demarkacionit, me çka po e mbajnë të komplikuar edhe gjithë procesin e ratifikimit të marrëveshjes.
Kurse kundër marrëveshjes janë pozicionuar Lëvizja Vetëvendosje, Grupi i Deputetëve të Pavarur si dhe Lista Serbe.
Marrëveshja e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi është nënshkruar në gusht të vitit 2015 në Vjenë. Ndërkohë, Kuvendi i Malit të Zi e ka ratifikuar këtë marrëveshje, por jo edhe ai i Kosovës, për shkak të mungesës së konsensusit të brendshëm.
Mungesa e ratifikimit, ndërlidhet me kundërshtimet e brendshme nga një pjesë e spektrit politik, i cili vlerëson se me anë të kësaj marrëveshjeje, Kosova ka humbur mbi 8 mijë hektarë tokë.
Dështimi eventual i ratifikimit të Marrëveshjes nga Kuvendi i Kosovës, besohet se do të krijonte pasoja të mëdha politike për Kosovën, qoftë për kah dështimi i marrëveshjes me Malin e Zi apo edhe me humbjen e rastit për liberalizimin e vizave, ngase ratifikimi mbetet kusht i Bashkimit Evropian për hapjen e perspektivës për qytetarët e Kosovës për lëvizjen e lirë, pa viza.
