Palmer u takua me udhëheqësit e Kosovës
Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Matthew Palmer u takua sot në Prishtinë me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministrin Ramush Haradinaj. Takimet kanë qenë të mbyllura dhe nuk ka pasur deklarata për media.
Mirëpo, kryeministri Ramush Haradinaj përmes një postimi në rrjetin social Facebook njoftoi se ka biseduar me Palmer për qëndrimin e Qeverisë së Kosovës sa i përket bisedimeve me Serbinë dhe arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht obligative ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Theksova qëndrimin e gjithanshëm, se jemi të paluhatshëm në ruajtjen e realitetit dhe qenësisë kushtetuese të Kosovës, që është arritur falë sakrificës së popullit tonë dhe investimit afatgjatë amerikan dhe të aleatëve tanë strategjikë”, ka shkruar Haradinaj.
Ai më tutje tha se e informoi zyrtarin e lartë amerikan edhe për angazhimin e qeverisë në krijimin e një koncepti për unitet të forcave politike sa i përket fazës finale të dialogut.
Vizita e tij në Prishtinë, zhvillohet në kuadër të një turneu diplomatik në rajon.
Kjo vizitë po realizohet në kohën kur institucionet vendore po miratojnë legjislacionin e nevojshëm për transforimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në një Forcë me kapacitete shtesë si dhe në kohën e debateve rreth përfaqësimit të Kosovës në fazën finale të bisedimeve me Serbinë.
Të hënën, Palmer ka qëndruar në Shkup. Ai e ka cilësuar si “kthesë historike” vendimin e deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë për të votuar ndryshimet kushtetuese, të domosdoshme për zbatimin e Marrëveshjes me Greqinë për çështjen e emrit.
Kurse paraprakisht në Beograd, zëvëndësndihmës-sekretari amerikan ka thënë se Uashingtoni iu bën thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të shohin “mundësinë historike” dhe të arrijnë marrëveshje përmes së cilës “të dyja palët do të ishin fituese”.
“Nëse dikush është fitues dhe tjetri humbës, atëherë askush nuk fiton”, ka thënë Palmer në Beograd gjatë adresimit në forumin e sigurisë “Fuqizimi i vendeve të Ballkanit”.
Sipas tij, SHBA-ja e kupton shqetësimin për mundësinë që ndryshimi i kufijve të përbëjë krizë në vendet tjera në rajon, mirëpo ka theksuar se konflikti i pazgjidhur dhe i ngrirë “po ashtu rrezikon stabilitetin e rajonit”.