Thaçi njofton ambasadorët e Kuintit për vazhdimin e dialogut me Serbinë
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur sot në zyrën e tij ambasadorët e vendeve të Kuintit, ambasadorin e Shteteve të Bashkuara, Greg Delawie, ambasadorin britanik, Ruairi O Connell, ambasadorin francez, Didier Chabert, atë italian, Piero Cristoforo Sardi, zëvendësambasadorin gjerman, Jan Axel Voss dhe shefen e Zyrës së Bashkimit Evropian, Nataliya Apostolova.
Përmes një komunikate nga Presidenca, është njoftuar se Thaçi ka njoftuar ambasadorët se e ka pranuar ftesën e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mogherini, për vazhdimin e dialogut me Serbinë në Bruksel, të dielën më 24 qershor.
Përfaqësuesit e shteteve të Kuintit është thënë të kenë rikonfirmuar përkrahjen e tyre për fillimin e fazës përfundimtare të dialogut në mes të dy shteteve.
“Kosova është e gatshme për dialog dhe për normalizim të marrëdhënieve”, është shprehur Thaçi, duke theksuar nevojën e një përfshirjeje sa më të gjerë të partive politike, shoqërisë civile dhe medieve, është thënë ndër të tjera në komunikatë.